Plakat që po trazojnë motin. Ja si lindi kjo legjendë

0 0
Read Time:3 Minute, 3 Second

Bora në pranverë për më të moshuarit ka një shpjegim: “Janë ditët e plakave”. Janë të shumta rrëfimet nga brezi në brez që prishjen e kohës në fund të këtij muaji lidhet me “mitin e plakave”.

Në disa krahina të vendit ky mit kujtohet në fillim të muajit, kur marsi “i mori 2 ditë borxh” shkurtit ç’ka shpjegon edhe arsyen se përse shkurti është muaji më i shkurtër. Në krahina të tjera kjo kujtohet në ditët e fundit të marsit. “Plakat” përdoren ende në ditët e sotme, pasi shpesh dëgjojmë të thuhet se “bën ftohtë ngaqë janë plakat”.

Por cila është historia e “plakave”? Sipas gojëdhënave shqiptare, plaka kishte shkuar në mal për të kullotur bagëtitë dhe duke parë motin e ngrohtë e me diell tha: “Tani unë do t’i kullos për qejf bagëtitë, të dh’…fsha dimrin”. Në këtë moment, marsi iu lut shkurtit: “Shkurt o im vëlla! Më jep 3 ditë hua ta ngrij plakën me gjithçka”.

Menjëherë pas kësaj, u bë aq ftohtë saqë plaka ngriu me gjithë bagëtitë në mal, duke u kthyer në shkëmb. Madje ka edhe një variant sipas të cilit plaka ngriu në malin Tomorr ku gjendet një shkëmb në formën e një njeriu. Aty buron edhe ujë që njerëzit thonë se janë lotët e plakës.

Kështu lindi legjenda e të ashtuquajturave ”Plaka të Marsit”, e cila sot përdoret si një metaforë për të ndarë stinën e dimrit me atë të pranverës, përkatësisht mes 14 marsit dhe 14 prillit, ku 14 prilli sipas legjendës shënon 1 marsin, ardhjen e stinës së luleve.

Kjo gojëdhënë është e njohur thuajse ne gjithë Ballkanin, por dhe vende te tjera te botës. Pavarësisht sa e vërtetë është, “miti i Plakave” përdoret sot edhe meteorologët që pranojnë se tre ditët përmbyllëse të marsit sipas kalendarit “alla turka” sjellin mot të ftohtë dhe me reshje. Prilli si gjithmonë vjen me mot të mirë.

4 VERSIONE TË LEGJENDËS

Gjithsesi, gojëdhëna e ditëve të ftohta të marsit ka disa versione dhe më poshtë janë disa më kryesoret, në version të shkurtuar…

1. Vjen marsi.

Ngrohet koha. Një plakë merr bagëtinë për ta kullotur në mal. E kënaqur nga koha e ngrohtë, plaka thotë: “Dimër, ma more të keqen, ta hodha dhe këtë vit”. Dimri e dëgjoi dhe dërgon borë dhe tufan, dhe e ngrin plakën në majë të malit.

2. Plakat e marsit janë 7.

7 plaka morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë (ftilluar). Duke bërë muhabet me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe ai (marsi) i merrte të keqen. Këngën e kënduan të gjitha plakat me radhë. Marsi i dëgjoi dhe i ngriu të 7-ta. Thonë se plakat janë ngurtësuar, dhe çdo vit në muajin mars bie shumë shi 7 ditë me radhë dhe në male bie borë.

3. Nga veriu thonë se mullizeza (lloj shpendi) çeli zogjtë që në mars.

E lumtur nga koha e ngrohtë, edhe ajo filloi ta shante marsin: “Mullizeza zogjtë i çeli, na marsh të keqen mars kaçeli…” Edhe këtë muaji mars e ngriu me gjithë zogj në fole. Numri i mullizezës më zogjtë e saj është 7-të që korrespondon me numrin e plakave. Kjo tregon për një binjakëzim të gojëdhënës. Po ashtu edhe plakat edhe mullizeza ishin në të zeza. Plakat me rroba të zeza ndërsa mullizeza me pupla të zeza.

4. Kur plakat i thanë marsit.

“Na marrsh të keqen”, marsi u zemërua aq shumë sa tha “shkurt (apo prill?) o im vëlla, më jep dy ditë hua, t’i thaj plakat me gjithë ç’kanë… ”. (Marrë nga Dibraexppres)

Happy
Happy
100 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %