Nga:Alban Tufa
Nuk po ta shkruaj vetëm ty këtë letër, sepse fare thjeshtë mundem me të marrë në telefon, a me të ardhë në shtëpi e me t’i thënë këto gjëra, por po i them për të tjerët. Po mundohem t’i bie pragut dhe të ndij dera, xhaxh.
Të dy ne e dimë se sa vlerë ka për ne fjala dhe po me fjalë do mundohem të tregoj për të tjerët se sa vlerë ka fjala për ne të dy, sidomos ajo e thënë.
Po të flas me shkrimin xhaxha, që ti na e ngjize, dhe me parimin xhaxha, që veç po na e nxit.
Për krimet dhe torturat e komunizmit kam dëgjuar plot nga yt atë (im gjysh) dhe nga yt vëlla (im atë), m’i kanë rrëfyer fije për pe periudhat e tyre të burgut: Spaçin, Torrovicën e Lezhës, Burgun e Sarandës etj.
Qëllimi im është të gjej se ku e ka zanafillën qëndresa, burrëria dhe fisnikëria jote. Le ta themi këtë xhaxh, pa modestitë kësaj here.
Sigurisht që shkrimarët dhe kolegët e tu duhej të kishin tejmbushur rrejetin me letra dhe dalje publike për ty, por kjo letër duke shkuar në zanafillën e dinamikës tënde, nxjerr edhe letargjinë e të tjerëve.
Po të rrëfej një episod nga jeta ime xhaxh. Pak para se yt atë, pra im gjysh, të ikte nga kjo botë, më qe bërë rutinë që t’i rregulloja mustaqet, ia prisja përherë me ca gërshërë që i ruante me fanatizëm, si çdo gjë. Për 4 muaj dhe bëja 22 vjeç. Dhjetor, dhe dimri na kishte mbyllë të gjithëve brenda pragjeve. Hyj në derë dhe e gjej atë burrë gjithë nur në mes të odës, ulur në një shilte ngjyrë të bardhë me ca lule blu, tek dridhte një cigare me njërën dorë. E mbaruam rutinën e prerjes së mustaqeve dhe iu ula për ballë. Pasi më falenderoi për ndihmën që i dhash, më tha që do të ma testonte pak mendjen. Jam i gatshëm i thash, siç i jepja asaj kohe përgjigjet, gjithjë me vrull.
“Bir, njeriu jeton për të ngrënë apo ha për të jetuar”, më pyeti dhe pastaj shtoi: “ke kohë të mendohesh deri në darkë për të më kthyer përgjigje. Në darkë të pres.
E solla dhe e pështolla nëpër kokë këtë dilemë, dhe më dukej veç lojë fjalësh. Pa ngrënë si mundej të jetohej? Nga kjo zgjedhje anonte peshorja e mendjes sime.
Kështu vendosa që në darkë do t’i shkoja me këtë përgjigje: Njeriu jeton për të ngrënë. E gjeta sërish duke dredhur cigare, por kësaj here ulur në divan. Babë, i thash, e gjeta përgjigjen: Njeriu jeton për të ngrënë.
Gjithë nuri që kish në fyryrë sikur iu zhbë, e pash që kisha dhënë alternativën e gabuar, por tashmë nuk ishte aspak e hijshme të ndërroja qëndrim. Buzëqeshja i iku nga faqet, dhe dhëmbi ngjyrë ari nuk iu duk më.E la cigaren ashtu pa dredhë mbi tavolinë dhe më tha: Jua bëj haram mundin nëse jetoni vetëm për të ngrënë.
Kaq më duhet për ta marrë mesazhin, kaq mu desh për të ndërtuar një murë gjigand etike në ndërgjegjen time. Kaq mu desh për ta bërë qëllim të jetës sime, si një profeci që duhet ta përmbush: grazhdi nuk do jetë kurrë qëllimi im. Kështu nëse mund të harroj ndonjëherë gjithçka ç’më ka thënë ai burrë, vetëm këtë s’e harroj kurrëherë.
Jam i sigurt që edhe ty ta ka thënë, e në mos thënë me fjalë, ta ka thënë me vepra. Sigurisht nuk e kishte problemin me ushqimin si nevojë bilogjike, por me qëllimet e epërme, shqetësimet, ngasjet, dhe angazhimet që duhet të ketë njeriu në këtë jetë të përkohëshme.
Në mos ta ka thënë në këtë formë siç mua, ta ka rrëfyer çastin kur hetuesit e mbanin në hetuesi për kallëzimi e bisedave të Allamanëve të Matit, dhe që iu tha se unë nuk e nxij kurë faqen time. Dhe pikërisht për të mos nxirë faqen, nxiu edhe jetën e vet me ato vite burg.
I thoshte të gjitha gjërat yt atë, xhaxha, me metafora, sepse për të kishte shumë vlerë fjala. Fjala për të ishte ligj, ishte kontratë, ishte e shenjtë, fjala atë e çonte tek e vërteta, prandaj e vërteta xhaxh ty nuk të lë të rrish rehat.
Ti nuk jeton për të ngrënë xhaxha, ti jeton për ato qëllime të epërme që jetoi edhe yt atë, për ta patur faqen e bardhë, se ashtu ta la yt atë. Ti nuk jeton për të ngrënë xhaxh, ti jeton për të bërë. Për ta bërë brezin tonë ndryshe: të dijshëm e të vetëdijshëm.
Ti nuk bëhesh palë me krimin sepse ti nuk bëhesh dot palë me krimin, sepse u gatove për të qenë i vërtetë ashtu siç ishte ai burrë. Ai të mësoi të flijohesh për parimin.
Ti nuk jeton për të ngrënë xhaxha, ata që të kundërshtojnë po, madje s’e qesin kurrë kryet prej grazhdi.