Tungjatjeta Jetë!”, programi social i World Vision nis zbatimin në Dibër ku ekipi i Tungjatjetës merr përsipër shërbimin e specializuar në shtëpi për 36 fëmijë me aftësi të kufizuara.
Falë marrëveshjes së bashkëpunimit me bashkinë e Dibrës, ekipi i përbërë nga një punonjës social, një psikolog, një fizioterapist dhe një logopedist do të ofrojë këtë shërbim për fëmijët në zonat e Peshkopisë, Maqellarës, Tominit dhe Kastriotit, në bazë të një Plani Zhvillimi Individual në bazë të nevojave të fëmijës, por edhe famijarëve të tyre.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale Dibër, 4.2 % e numrit total të personave me aftësi të kufizuar në Bashkinë Dibër janë fëmijë. Por studimi i prevalencës së aftësisë së kufizuar tregoi se 14.6% e fëmijëve 2-17 vjeç në Bashkinë Dibër rezultojnë me aftësi të kufizuar.
Mungesa e qendrave që ofrojnë këto shërbime, pamundësia ekonomike, mungesa e informacionit apo mentaliteti janë disa ndër arsyet pse këta fëmijë nuk marrin shërbimet që iu nevojiten.
“Çdo bashki duhet të përfshijë këto plane lokale sociale në buxhetin vjetor. Është detyra e pushtetit vendor të planifikojë, të buxhetojë dhe të ofrojë shërbimet e specializuara për fëmijët me aftësi të kufizuara. Tungjatjeta…Jetë është programi i parë dhe, deri tani, i vetmi në Shqipëri që ofron shërbime terapeutike të asistencës shtëpiake për 72 fëmijë me aftësi të kufizuar, në Librazhd dhe në Dibër.”, thotë Eljona Boçe Elmazi, Drejtoresha e Ballkanit Perëndimor në World Vision.
Nga plani lokal për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara rezultoi se në Bashkinë Dibër 2472 persona me aftësi të kufizuar marrin pagesën KMCAP, 108 prej tyre janë fëmijë.
1 vit më parë, World Vision filloi në Librazhd zbatimin e programit social për 36 fëmijë me aftësi të kufizuara në zonat e thella të vendit. Përmirësimet shëndetësore janë të dukshme tek çdo fëmijë.