Hoteshi i Luznisë

0 0
Read Time:6 Minute, 50 Second

Nga:Drilon Murrja |DibraOn

Fisi Murrja zë vend të rëndësishëm në historinë e malit/komunës Luzni. Origjina e këtij fisi është hershme, por atdhedashuria dhe patriotizmi i të parëve Murrja për vendlindjen daton nga fundi i shekullit të XVII dhe fillimi i shekullit të XVIII. Të parët e këtij fisi kanë lënë gjurmë në historinë e Dibrës, duke udhëhequr luznakët në luftë kundër perandorisë Otomane.
Në një nga fshatrat e sipërme të Luznisë, në Lishan të Epërm ka jetuar fisi Lika (që para shekullit të XVI). Në lidhje me origjinën e këtij fisi nuk ka gojdhëna, çka vërtetohet se është fis autokton në këtë fshat. Edhe sot, vendi ku ka jetuar ky fis, quhet lagja Like. Fisi Lika ka patur shumë degëzime, ku emri i personit është përdorur më pas si mbiemër. Kështu nga ky fis kanë dalë mbiemrat Skuka, Neziri, Demiri, Stafa, Sula dhe Dedja. Edhe mbiemri Murrja e ka origjinën nga fisi Lika, por pagëzimi i këtij fisi është i veçantë. Të gjitha këto fise banojnë edhe sot në këtë lagje të quajtur Like, por një pjesë e fisit Murrja dhe Skuka janë vendosur në fshatin Hotesh, ndërsa fisi Dedja është vendosur në fshatin Katundi i Ri.
Natyrshëm lind pyetja: Si është pagëzuar fisi Murrja? Flitet për një banor që quhej Skuk Lika, shkurt i thirrnin Kuk. Kjo vërteton faktin që fisi Skuka dhe Murrja janë gjak më i afërt me njëri-tjerin dhe kanë të njëjtën origjinë me fiset e sipër shkruara. Kuka merr për grua një cucë (vajzë) nga Qaf-Murra, mbesë e fisit Vladi në Lurë. Gjojdhënat kanë transmetuar brez pas brezi bukurinë dhe madhështinë e kësaj cuce. Nga baballarët dhe gjyshërit e tyre Abdulla Murrja, Musa Murrja, Ibrahim Murrja, Sel Murrja etj., kanë dëgjuar se kjo grua thirrej me pseudonimin Ulkonjë.
Kjo grua e fuqishme nga martesa me Kukën, lindi dy cull (fëmijë) voca (djem): Osmanin dhe Halilin. Në përkëdhelinë e të ëmës, duke i thirrur murra i nënës njërit dhe murra i nënës tjerit ata morën mbiemrin Murrja. Thirrjet me epitetin“ Murra“ i nënës vinin nga origjina e saj, prej Qaf-Murre. Në lidhje me të ardhmen e këtyre dy djemëve ka dy burime gojdhënore.
Burimi i parë, shumë pak ose aspak i dëgjuar, flet për lidhjen e Halilit me perandorinë Otomane, ndërsa Osmani qëndroi në fshatin e tij të lindjes, duke u marrë kryesisht me blektori. Gjithmonë, sipas këtij burimi thuhet se Halili u fuqizua ekonomikisht për shkak të kësaj lidhje dhe u vendos në fshatin Hotesh (Musa Murrja). Në paragrafet e mëposhtme do të njihemi me historikun dhe pasardhësit e tij.
Burimi i dytë, shumë i dëgjuar, flet për largimin e Halilit për shkak të grindjeve/zënkave me të ëmën e tij (Ibrahim Murrja), ndërsa Osmani vazhdoi jetën në fshatin Lishan i Epërm, duke u marrë kryesisht me blektori. Gjithmonë, sipas këtij burimi thuhet se Halili u bë shumë arrogant dhe i dhunshëm ose beterr siç i thonë në gjuhën lokale. E ëma e këshilloi disa herë të birin e saj, Halilin që të kthehej në rrugë të mbarë, por Ai vazhdonte me sjelljet e tij jo normale/të këndshme. Meqë i biri nuk i’u bind të ëmës, ajo vendosi që ta vriste atë. Halili nga frika detyrohet të largohet. E ëma e ndoqi/gjurmoi duke e detyruar Halilin, të kërkonte ndihmë tek Karahsani në Brezhdan.
Fisi i Karahsanit në Brezhdan njihet si një nga tre qendrat kryesore (Karahsani, Hoxholli dhe Xhilaga) të administrimit të perandorisë Otomane në Dibër. Në historinë e Dibrës dhe Shqipërisë njihet me emrin Oxhak titull (ofiç) i perandorisë Otomane për të administruar Dibërn). E ëma e Halilit i kërkon Karahsanit, t’i dorëzonte vocin (djalin) sepse kishte vendosur ta vriste si pasojë e sjelljeve të tij arrogante me luznakët. Me gjithë kërkesën e nënës, Karahsani nuk e dorëzoi Halilin, duke i thënë se është në besën tij (na është dorëzuar për ndihmë). Atëherë, e ëma, e Halilit i përgjigjet: -Dëgjo këtu Karahsan, unë e njohë djalin tim dhe më mirë ta vras me dorën time, sepse, nëse nesër më gjen gjë djalin do t’ju vras juve. Kështu u ra dakord dhe Halili u mbajt nga Karahsani. Karahsani e angazhoi Halilin në sistemin ushtarak të tij, për të mbajtur qetësinë publike në njësinë e tij administrative.
Brezhdani ishte qendra kryesore dhe zhvillohej tregtia për të gjithë rajonin. Karvanet me kuaj me karroca, të ngarkuar me mallra vinin nga Shehri i Dibrës (Dibra e Madhe) . Një ditë prej ditësh, po kalonte një karvan kuajsh me mallra ushqimore në mes të fshatit Brezhdan. Një fëmijë i vogël zgjat dorën dhe merr një kokërr sheqeri (karamele e rrumbullakët e kohës). Tregtari otoman ose tuxhari, siç njihej në atë kohë reagon ashpër/egërsisht, duke goditura barbarisht me gërbaç fëmijën. Halil Murrja ishte prezent në këtë ngjarje. Për shkak të detyrës, Halili ishte i armatosur me hutë (armë artizanale e kohës që kishte vetëm një shkrepje baruti). Ai duke mos duruar rrahjen barbare të fëmijës, qëllon për vdekje tregtarin. Vrasja e tregtarit tronditi marrëdhëniet e Karahsanit me qeverinë e Stambollit. Karahsani i detyruar nga ultimatumi i perandorisë, nxorri urdhrin për të vrarë Halilin.
Menjëherë nga Luznia vjen reagimi i nënës së tij. Ajo i dërgon “plakun” (personi që sipas traditës së Maleve të Dibrës ishte gjyqtar për sqarimin e çështjes në fjalë) dhe i bën të ditur Karahsanit se, nëse, djalit të saj i prekej qoftë edhe qimja e flokut do të merrete hak (hakmerrej). Ajo i kujtoi Karahsanit se në fillim i kishte dal borxhit (e kishte vënë në dijeni), që të mos mbante djalin e saj. Karahsani i detyrur nga fjala e dhënë anullon urdhërin e vrasjes, por me kusht që Halil Murrja të largohej nga njësia administrative e tij (Brezhdani).
Kështu, Ai vendoset përfundimisht në fshatin Hotesh, në kodër të Vorthit, ku sot quhet kodra e Halilit. Halili i’u kthye normalitetit. Ai u martua dhe bëri pesë djem Elezin, Hasanin, Ahmetin, Dalipin dhe Limanin (Megjithatë është shumë e vështirë të krijohet pema, pasi mungojnë të dhënat). Tek të gjithë fëmijët trashëgoi ndjenjat e atdhedashurisë. Sipas traditës djali i madh ishte edhe pasuesi i tij zyrtar në lidhje me të ardhmen e fshatit dhe të gjithë Luznisë. Studiuesi i historisë së Dibrës, Hazis Ndreu, në librin e tij “Dibra në Udhën e Historisë”, kur shkruan për Isuf Murrën thotë: “- Isuf Murrja, biri i atdhetarit Elez Murrja, që pat udhëhequr Luznisë kundra Hajerdin Pashës …. “. I rritur nën edukimin e të atit, Elezi u bë një nga atdhetarët më të shquar për kohën në malin/krahinën e Luznisë. Në atë periudhë Luznia drejtohej nga fisi i Sefere. Duke parë atdhetarizmin, zgjuarsin, trimërin dhe besën tek Elezi, ky fis i nderuar ia dorëzoi mihirin (vulën) fisit Murrja.
Nga sa mësipër, të gjithë Murret në fshatin Lishan i Epërm kanë origjinën nga Osmani, ndërsa Murret në fshatin Hotesh kanë origjinën nga Halili. Më vonë në vitet 20-30 të shekullit të kaluar Murret e Hoteshit u shtrinë/zgjeruan në fshatin Selane, duke blerë toka, jo vetem në këtë fshat, por edhe në fshatrat Trenë e Trepçë (sot fshatra të komuna Qendër/Tomin). Në periudhën e perandorisë Otomane këto fshatra ishin pjesë administrative e Topalltisë (kështu quhej kjo zonë nga malet).
Të dhënat historike gojdhënore tregojnë se fisi Murrja dhe të gjthë fiset e tjera me origjinë nga fisi Lika gjatë administrimit të perandorisë Otomane nuk janë larguar nga Luznia. Largime nuk ka patur as gjatë luftrave ballkanike dhe pas shpalljes së pavarësisë, si dhe gjatë drejtimit të Shqipërisë nga Ahmet Zogu. Në sistemin e centralizuar socialist, lëvizjet kanë qenë të pakta në numër, si në Bulqizë për shkak punësimit në minierën e kromit dhe akoma më pak në drejtim të Peshkopisë dhe Tiranës. Pas viteve ’90 të shekullit të XX lëvizjet/migrimi kanë qenë masive në numër. Migrimi jo vetëm i fisit Murrja, por edhe i fiseve të tjera, si: Skuka, Demiri, Neziri, Sula dhe Stafa erdhi si rezultat i ndryshimeve politike dhe ekonomike në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Për shembull, në fshatin Hotesh numëroheshin mbi 80 familje, ndërsa sot kanë mbetur më pak se 30% e tyre. E njëjta situatë është edhe në fshatin Selane. Levizjet janë bërë kryesisht në Peshkopi, Tiranë dhe Durrës

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %