Vajza e Dibrës, por me rrënjë të thella shekullore shkodrane, na zbuloi në këtë rrëfim një pjesë të jetës së saj, mbushur me këngë dhe punë. Sot, një zonjë e hijshme, Liri Rasha është një nga zërat më brilant të muzikës tonë folklorike, e pavarësisht “luftës” së shpallur ndaj këngës së pastër, nga rrymat që ikin e vijnë, ajo ende ka dëshirën dhe forcën edhe të kompozojë. Një nënë e një bashkëshorte, që nisi të këndojë edhe gjatë kësaj bisede teksa binte shi, me një zë që jo vetëm nuk ka ndryshuar, por është bërë edhe më i ngrohtë. Vjen në këtë rrëfim ekskluziv “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe”, Liri Rasha, bilbili nga Peshkopia.I
Lexova që ju kishte zbuluar mësuesi i matematikës; më tregoni diçka më shumë.
Isha në shkollën 8-vjeçare, në fshatin ku jetoja, vetëm 13-vjeçare, Në një moment, në mënyrë spontane, kam filluar të këndoj një këngë për qejfin tim që, me sa duket, e ka dëgjuar mësuesi i matematikës. Të nesërmen, kur shkoj në shkollë, në orën e matematikës më nxjerr mësuesi në dërrasë të zezë dhe unë, duke menduar se më ngriti në mësim, mora shkumësin të shkruaj. Ai më tha: “Jo, s’ke për të shkruar pa na këndu një kangë.” E habitur i thashë se nuk dija të këndoja. “Di ti, di! – m’u përgjigj profesori, duke ma kërkuar madje këngën me emër. Desha, s’desha, fillova të këndoj. Ajo qe edhe pikënisja ime si këngëtare. Në atë kohë, po përgatiteshin grupet nga fshatrat për të shkuar në Festivalin e Gjirokastrës dhe aty direkt, u aktivizova. Dalja e parë në skenë, ishte në vitin 1973.
E kujtoni me cilën këngë?
Po, shumë mirë. “Mora rrugën, mora” dhe “Bilbili i malit”. Më pas, pasi mbaroi Festivali i Gjirokastrës, unë vazhdova shkollën e mesme për pedagogji, shkollë që ishte hapur në Peshkopi, për të cilën m’u dha një bursë studimi. Gjatë katër viteve të shkollës së mesme, u aktivizova pa ndërprerje me estradën profesioniste që ishte në qytetin e Peshkopisë. Pas mbarimit të shkollës pedagogjike, ndoqa një kurs për kanto, i cili më dha një ndihmesë të jashtëzakonshme, kurs që zgjati një vit dhe zhvillohej në Tiranë.
Pse ju ndihmoi kaq shumë ai kurs?
Sepse më plotësoi në shumë elementë që kërkon kënga dhe sepse profesorët ishin zërat më të mirë në Shqipëri, nga të cilët mësova shumë, si Ramiz Kovaçi, Vaçe Zela, Luçie Miloti, Zeliha Sina, Naile Hoxha, Ibrahim Tukiçi etj. Ka qenë një përvojë shumë e mirë, ku mora bazat e muzikës, instrument në fazë fillestare, vokalizat, mënyrat e frymëmarrjes; pra, elementë që mësoheshin në Institutin e Arteve. Gjatë kohës së kursit që jetoja në Tiranë, u aktivizova me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, si dhe me Estradën e Shtetit, ishte viti 1979. Pas mbarimit të kursit, u ktheva në Peshkopi ku kam jetuar deri në vitin 1991.
Ishin vitet e ndryshimeve të mëdha, si i përjetuat ato?
Në vitin 1991, pata një udhëtim në SHBA, me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, një rast shumë i mirë për karrierën time. Turneu zgjati rreth 5 muaj, por kur u ktheva, pata një surprizë të pakëndshme, që edhe sot më lëndon, kur e kujtoj.
Dhe cila qe ajo?
Më kishin larguar nga puna. U detyrova të lëviz nga Peshkopia, bashkë me bashkëshortin, e të vendosemi në Laç, ku kemi jetuar 7 vjet. Ky transferim erdhi nga arsyeja absurde, se ne që të, dy u hoqëm nga puna. Realisht, nuk ishte arsyeja e vonesës në SHBA, sepse unë isha me Ansamblin. Ishte një hakmarrje, një largim politik.
A e vazhduat aktivitetin në Laç?
Në Laç, nuk kishte estradë profesioniste ose grup artistik, ndaj fillova të bashkëpunoja me grupe që shkonin jashtë Shqipërisë, në aktivitete private. Koha e qëndrimit në Laç, ka qenë jo shumë frytdhënëse për karrierën time, sepse jeta artistike ishte tepër e vakët aty.
Bëjmë një ndalesë, në mes të rrugëtimit me këngën. Bashkëshortin si e njohët?
Bashkëshortin e kam njohur në Peshkopi, në vitin 1973, si person, por jemi fejuar më 1980 dhe u martuam më 1981.
Ka qenë ai mbështetje për ju, sepse nuk kanë qenë zona të lehta, për një këngëtare femër…
Një mbështetje e domosdoshme dhe kritiku im më i mirë. Fillimisht edhe kishte rezervat e tij, sepse kishte një profesion shumë larg artit. Ai pa dhe vlerësoi këmbënguljen dhe pasionin tim. Edhe sot, unë nuk mund të rri pa këngën, është pjesë imja. Sa mund të rri pa ushqim, aq mund të rri edhe pa këngën. Sidomos pasi linda dy fëmijët, im shoq më ka ndihmuar jashtë mase. Unë dilja nëpër qytete e fshatra me estradën, ose jashtë kufijve, ndërsa im shoq kujdesej për fëmijët.
Periudhën e kalimit të pushteteve e paske kaluar me dramë, këtë e kam ndeshur në shumë artistë të kalibrit tuaj. Si e përjetove ndryshimin e sistemit?
Unë që jetoja në Peshkopi, nuk e ndjeva shumë, sepse publiku më deshi po njësoj, më ndoqi me të njëjtin pasion, e unë vij prej Dibre. Por u pezmatova shumë, me heqjen nga puna, sepse isha në kulmin e karrierës, isha e vlerësuar me titullin “Artiste e Merituar” dhe kisha zhvilluar mjaft turne me Ansamblin e këngës dhe Valleve, duke përfaqësuar vendin jashtë kufijve. Këngët e mia ishin këngë folklori dhe karakteristike, që përfaqësonin trevën e Dibrës dhe veriun në tërësi. Heqjen nga puna nuk e prisja.
Keni ndonjë mbresë të veçantë nga turnetë jashtë Shqipërisë?
Kam udhëtuar qysh shumë e re. Herën e parë në ish-Jugosllavi, me Ansamblin “Migjeni”, e kemi nisur nga Struga dhe me radhë, deri në Beograd e Nish, duke kaluar nëpër tërë Kosovën. Më pas, kemi shkuar në Kalabri dhe në Bari, në Itali ku kujtoj vendet ku kishte jetuar Skënderbeu, heroi ynë kombëtar. Pas kësaj, në Greqi. Pra, i gjithë viti 1977 më ka kaluar me udhëtime. Por mbresat më të pashlyera, i kam nga udhëtimi në Gjermani, për arsyen se ishte një grup shumë i mirë, me artistët më të zgjedhur. Nga veriu ishim mysafir vetëm unë dhe Arif Vladi. Mbushej sheshi përpara skenës, me njerëz të përmalluar, që çfarë kishin me vete, na i hidhnin te këmbët, nga malli. Kujtoj se Arif Vladin e ngritën mbi supe, e mbajtën peshë, nga entuziazmi.
Ju keni qenë këngëtare tepër e vlerësuar në ato vite; ju ka ndodhur të takoni udhëheqës komunistë të atyre viteve?
Po, sigurisht. Kam takuar edhe Enver Hoxhën, edhe Ramiz Alinë. Enver Hoxhën e kam takuar në Elbasan, në Kongresin e Rinisë, kurse Ramiz Alinë e kam takuar në Peshkoi, më kujtohet, sepse kam qenë shtatzënë me djalin.
Ju i keni qëndruar besnike muzikës burimore; si e shikoni ndikimin e rrymave të reja, ndaj muzikës popullore?
Uroj shumë të jetë kalimtare, kjo ndërhyrje e rrymave të reja. Por nuk kalon pa pasoja, edhe po kaloi. Ne, brezi ynë, e kemi ruajtur të pastër, sepse vijmë nga një sistem i cili, sado të këqija ka pasur, kujdesej për muzikën. E ruante me fanatizëm muzikën e pastër shqiptare. Kjo ruajtje ishte izolim dhe kishte anën e vet të keqe, por, nga ana tjetër, jepte ndihmën e vet. Unë vetëm nga fundi i viteve ’80 kam kënduar disa këngë turke. Imagjinoni sa shumë ruhej muzika jonë. Nuk na lejohej. Por kishte kontroll shumë të rreptë në ato vite. Unë vazhdoj jam mjaft e rreptë. Këngët e mia të vonshme, i kam bërë si një bashkëpunim me Edmond Zhulalin. Përveç faktit që është profesionist i zoti, kam një bashkëpunim të gjatë me të, sepse ai nuk të lejon të dalësh nga muzika burimore.
Por ndikojnë shumë edhe televizionet e radiot, të cilat luajnë rol të rëndësishëm. Në këtë rast, ndikojnë për keq, sepse transmetojnë vetëm këngë me rryma të përziera, që janë komerciale.
Ju, në këto vite, keni mbajtur këngën tuaj gjallë, përmes gëzimeve familjare… dasma është një institucion më vete, apo jo?
Vërtet, shkoj shpesh në gëzimet familjare, në dasma ose ditëlindje. Në fillim nuk kisha shumë dëshirë të këndoja kështu. Më dukej diçka jo aq për mua. Por përveç të ardhurave që kanë rëndësinë e tyre, aty mbaj veten në punë dhe zërin në formë. Unë, mendoni, më kanë larguar nga puna qysh në vitin 1991, e po të mos kishin qenë gëzimet familjare, zëri do më kishte lënë me kohë. Se zëri, po e le, të lë. E shikoj edhe në gëzimet familjare që, brezi i ri kërkon këngë tallava, e më vjen shumë keq, sepse tregon që janë ndikuar tashmë tepër thellë. Edhe institucionet që janë të ngarkuara me ruajtjen e folklorit tonë, nuk po punojnë siç duhet dhe më vjen keq. Shikoj festivalet e këngës folklorike, janë shumë të rralla. Madje edhe kur paraqesin përsëri këngë të vjetra, që ne i kemi kënduar dikur, i paraqesin shumë dobët.
Ju jeni edhe krijuese e këngëve tuaja, kur ka filluar ky pasion?
Fillimisht, kam filluar të krijoj nga nevoja kur dëshiroja të interpretoja këngë që dikush tjetër nuk i kishte pikasur. Flasim për këngë nga fondi i vjetër i këngës popullore, nga zona ime. Shpesh, krijonim potpuri dhe këngët i zgjidhja vetë, nga këngët që këndonte familja ime. Në familje kanë qenë pasionantë të artit dhe kishte këngë shumë të bukura që i këndonin në gëzime familjare ose edhe raste dhimbjeje. Unë i përpunoja dhe i propozoja përsëri. Në fillim, ia propozoja udhëheqësit artistik; më pas fillova të krijoj tekstet e këngëve. Më kujtohet se ishte një festival i këngës popullore në Dibër. Unë u paraqita me një këngë “Oj zogo”, tekstin dhe muzikën e kam përshtatur vetë. Kënga nuk m’u aprovua, sepse më thanë kishte nuanca sllave. Pas meje, erdhi Caje Poleshi, në kursin e kantos, e mori këngën e solli në Tiranë, e orkestroi Çesk Zadeja dhe Caja mori çmim të dytë me këtë këngë. E kështu kënga që mua nuk m’u pranua, mbeti në fondin më të mirë të muzikës. U këndua edhe nga Naile Hoxha, interpretim që mbahet mend edhe sot.
Por kënga “Moj fushë e Korabit”, është nga më të njohurat interpretime….
Ka një histori lidhur me atë këngë. Teksti është i vjetër, por ka pasur një muzikë tjetër, më alegro. Unë ia shtriva muzikën e cila i shkoi shumë mirë përshtat, por unë nuk e hidhja dot me nota. Isha në shtëpi duke e kënduar dhe më rrodhi natyrshëm. Menjëherë, shkova në punë dhe i ndjeri Aziz Ndreu e dëgjoi dhe e pëlqeu shumë: “Liri, po më rrëqethet mishi. Të thërrasim orkestruesin ta shkruajë direkt, se e harron”, – më tha ai. Dhe mbeti si këngë, deri në ditët tona.
Po sot, vazhdon kompozon këngë?
E kam një këngë në dorë, e kam me shumë dëshirë. Por jam natyrë shumë e ndjeshme, po m’u prish qejfi, po m’u pre hovi për një këngë, e mendoj gjatë pastaj të hyj në studio regjistrimi. I thashë dikujt se, kam bërë një këngë për të moshuarit. Nuk më tha as mirë e as keq. I tregova tekstin Gjok Becit:
“Mua të mjerit më ka zanë halli/shumë larg më shkun vajza e djali/më ka lënë mosha e fuqia/në vetmi po më shkon pleqnia/jetë, moj jetë, sa më mundove/pse mu të mjerit më mallkove/si duron ky shpirt pa dalë/me fëmijë gjallë pa trashëgimtarë.”
Më pyet Gjokë Beci se, kush i ka shkruat këto vargje. Unë, – i thashë. I pëlqyen shumë vargjet. Por po mendohem, nëse duhet ta regjistroj në studio.
Më jepet shumë të kompozoj, por kam një të metë të madhe, që duhet të dija të shkruaja vetë muzikë. Kjo më ka penguar.
Jeni vlerësuar me titullin “Mjeshtri i Madh”; si jeni ndjerë?
Të them të drejtën, vlerësoj shumë titullin “Artist i Merituar”, në ato vite vlente shumë, ia shikoje hairin. Titullin “Mjeshtri i Madh” sigurisht, e respektoj, sidomos shoqatën shkodrane që më propozoi tek Presidenti Bamir Topi. Por sot, këta tituj janë thjesht një letër honorifike në sirtar. Sot, shumëkush po merr tituj, pa pasur asnjë kriter të qartë. Kjo ia ka zbehur vlerën.
Ke një djalë e një vajzë. Vajza madje, njihet edhe si një këngëtare shumë e talentuar…
Vazja ime, Ingrid Jushi, është vërtetë shumë e talentuar, ka një vokal të fuqishëm dhe një vesh të saktë. Ajo këndon këngë popullore, por është më tepër te muzika e lehtë. Kur dëgjoj vajzën, madje, ndihem deficitare, sepse është më e kompletuar. Ajo ende këndon, por jo më në TV, sepse kjo puna e Tv është bërë me klane; unë marr shoqen time, ai merr shokun e vet. Vajza pati dhe një shkëputje nga kënga për arsye shëndetësore dhe më vjen mirë, madje e falënderoj kompozitorin Flamur Shehu, i cili u interesua “live” se ku ishte ime bijë, sepse donte ta dëgjonte. Sepse vajza ka premtuar shumë, në fillim. Ajo edhe kërcente dhe interpretonte bukur, kishte qëndrim skenik. Pavarësisht këtij pasioni, më lumturon që është juriste e diplomuar me rezultate të shkëlqyera. Pra, vajzë me formim të lartë. Ndërsa djali ka një vesh absolut. Me një të dëgjuar, nëse kënga ka nuanca të kopjuara, të vjedhura, e gjen menjëherë.
Janë të lidhur me njëri-tjetrin?
Ha ha ha sigurisht, por janë dy shenja horoskopi zjarri, bëjnë xing, dy karaktere shumë të forta, por që mbështesin njëri-tjetrin në çdo hap.
Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani
DibraON.com