Kohë e vështira nxjerrin njerëz të mëdhenj.
Në 1991 në pranverë kur dimri nuk kish ikur plotësisht dhe pranvera ishte në hapat e para, dy burra të mëdhenj të kombit Shqiptarë ishin nisur nga drejtime të ndryshme (njëri nga Kosova dhe tjetri nga Tirana) drejt malit të Korabit. Në këtë vend të izoluar dy njerëz fisnik dhe shumë të ditur, me kostume dhe kravatë por të thjeshtë dhe human po fillonin misionin e tyre më të madh në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, misionin e paqes dhe pajtimit të gjaqeve dhe misionin e lirisë, demokracisë dhe prosparitetit. Këto ishin Anton Ceta dhe Sali Berisha që u ishin drejtuar maleve të Dibrës, në fshatin Vleshë për të marrë bekimin e Teqesë së Bilbilit në misionin e tyre patriotik dhe human, duke ndjek udhën e patriotëve të tjerë shqiptarë që nga Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Idris Seferi, Hasan Prishtina, Ahmet Zogu e shumë të tjerë, miq të kësaj dere të madhe.Të shoqëruar nga shumë njerëz, oda dhe pragu i derës së Teqesë së Bilbilit në Vleshë, me madhështinë e besimit në zot, me përkushtimin e saj që sjell mirësi, urtësi dhe pajtim, ndriconte dhe lartësonte këto misionarë në punën e tyre. Në derën e teqes po i priste një burrë i moshuar, i urtë, i edukuar, mikpritës dhe i dashtun, që zoti i kishte dhënë hijen, mirësinë dhe ëmbëlsinë për tu thënë, mirëse-erdhët e ju priftë e mbara o të dashtunit e zotit. Ky ishte Sheh Shaqiri i Vleshës, që bëri dhe lutjen e mbarësisë së misionit historik të këtyre dy burrave të mëdhenj të kombit tonë.E kujtoj shpesh, në mënyrën si fliste, si rrinte, si dëgjonte, si sillej, si bisedonte, si tregonte histori, si lutej dhe si shërbente. Sheh Shaqiri i Vleshës bënte jetë të ndërmjetme: midis reales dhe surreales. Me dijeni të çuditshme, ndoshta rrallë shumë rrallë i gjeje njerëz të tillë asokohe. I kulturuari i çuditshëm Sheh Shaqiri, dinte përmendësh Kur’anin, “Lahutën e malcis” të Fishtës dhe “Rubairat” e O. Khajamit.Sheh Shaqiri ishte euridit. Njohuritë e tij i tejkalonin horizontin e dijenisë së shoqërisë në të cilën shumica e njerëzve jetonin dhe në kohën e tij. Me shkollim Medreseje dhe jetë shumë të pasur studentore, fetare dhe qytetare ne Tiranën e viteve 1930-1940, me nji zgjuarsi tejet natyrale, i dashur me të gjithë, Sheh Shaqiri arriti të mësojë mrekullisht disa gjuhë të huaja si: arabishten, turqishten, anglishten, serbo-kroatishten, gjermanishten dhe italishten. Mësoi fizikë dhe matematikë, kimi dhe astronomi, letërsi dhe histori duke ndikuar në formimin gjerësisht kulturor dhe arsimor të tij. Miqësia e madhe familjare, si biri i Sheh Shezumanit të Vleshës që ishte miku dhe shoqëruesi i Abdyl Frashërit në lidhjen e Prizrenit, pjesëmarrësi ne Kongresin e Lushnjës, dhe kleriku islam që bëri shërbesën fetare të kurrorëzimit të mbretit Zog, i krijoi njohje dhe lidhje të mëdha Sheh Shaqirit me personalitet më të mëdha të kohës në Tiranë si: Haxhi Vebi Dibrën, Sheh Ali Korcën, Mitat Frashërin, dhe si student që këndonte dhe bënte shërbesat fetare tek familja e mbretit Zog, duke qenë në kontaktet me gjithë elitën politike, fetare dhe kulturore të këtyre viteve.Sheh Shaqiri i Vleshës ka qenë simboli i misionarit besnik të fesë. Koha ja caktoi fatin që të shërbejë fesë në tre periudha para komunizmit, gjatë komunizmit dhe pas komunizmit. Në kohën parakomunizmit ai me pasionin e të riut dhe të diturit lartësoji shërbesën islame, në kohën e komunizmit mbajti të zgjuar dritën e fesë në popullsinë që i besonte dhe ai i shërbente pa frikë dhe i pakursyer, dhe në kohën pas komunizmit ishte në grupin e përhapjes së fesë duke i ndricuar shpirtrat e mendjen e besimtarëve me normat më të mira fesë islame.Sheh Shaqiri mund të themi që ishte shërbyesi më i devotshëm i fesë, që u përpoq të përmirësojë njerzinë me predikimin e të mirës më të lartë, duke kërkuar që të ngrejë vetëdijen njerëzore që udhëhiqet nga morali dhe e mira. Sheh Shaqiri me një energji dinamike të pa shterrume ishte gjithmonë i gatshëm për të shërbyer kauzën fetare nga mëngjesi deri na darkë, duke lexuar e kënduar kuran dhe duke kryer shërbesat në cdo anë të Dibrës, Kukësit dhe Shqipërisë së mesme, i palodhur duke ecur në këmbë, në mot të nxehtë apo të ftohtë, i survejuar nga dashakëqijt dhe i mbrojtur nga mirësia e njerëzve dhe besimtarëve. Sheh Shaqiri ishte natyrë e dhembshur, karizmatike, dhe shumë tërheqëse për të gjithë fetarët dhe jofetarë, fëmijë apo të moshuar, gra apo burra, duke shpërndarë ndienën e frymëzuesit për të gjithë ndjekësit që të drejtohen nga e mira në jetën e tyre. Ai mbajti hapur deren e teqesë së Bilbilit, teqesë së Vleshës për të gjithë besimatrët dhe njerëzit në nevojë. Të gjithë që e kanë njohur Sheh Shaqirin kanë vënë re aftësinë natyrore të tij për të hyrë në lidhje me njerëz. Në sajë të trashëgimnisë së shërbesës në teqenë e Vleshës, Sheh Shaqiri ka pasur një dhuratë të veçantë për posedimin e një sasie të madhe të energjisë shëruese. Në këtë drejtim, akti i thjeshtë për të qenë në prani të tij ishte shërues dhe terapi shpirtërore për shumë njerëz. Me një edukatë elegante, me një thjeshtësi dhe ngrohtësi të pa masë, Sheh Shaqiri me shumë pasion dhe mjeshtëri i shërbente njerëzve në nevojë duke i frymëzuar për të tejkaluar kufizimet, frikën e imponuar dhe për ta përqafuar jetën me mirësi, optimizëm dhe vendosmëri.Pozicioni i ndricuar i tij si shërbyes fetarë, Sheh Shaqirit i kishte dhënë një nur hijeshie dhe bukurie si brenda shpirtit dhe pamjes së jashtme. Jo vetëm nëpërmjet fjalës së tij, predikimit të tij por edhe nëpërmjet syve të tij të mrekullushëm Sheh Shaqiri tërheqte vëmendjen e gjithkujt dhe kudo që ishte. Sytë e Sheh Shaqirit ishin të ndritshme dhe të zjarrtë, dhe që dukeshin që djegin me një dhembshuri shtytëse për të kërkuar të mirën më të madhe. Në sytë e Sheh Shqirit të dukej sikur ke shikimin e urtë të një fisniku apo mbreti, por ata ishin më seriozë në urtësi. Në përkëdheljen e tij instinktivisht ndieje dhembshuri dhe zemërmirësi duke dhënë dritë e dashuri. Me zërin e tij të ulët e me muzikalitet, fytyra e tij shumë herë mund të ishte gjykuese dhe e rëndë, por shumë shpejt dhe në përgjithësi ai ofronte një shikim frymëzues e gjithmonë i shndritshëm dhe kurrë i shurdhër, Ai gjithmonë fliste dhe porosiste për dritën e zotit të na drejtojë në rrugë të mira. Sheh Shaqiri u sulmua dhe nuk u rehatua asnjiherë me pushtetin komunist deri në ditën që erdhi demokracia. S’kish si të rehatohej dhe të ndodhte ndryshe. Si fetarë mendja e tij ishte te besimi në zot dhe Kur’ani, te gjërat e ndalueme dhe armike të asaj kohe. Si vllau i Sheh Iljazit e Remit, ata u shpallën kulakët e parë në Shqipëri dhe familja e tij familja më armike për regjimin komunist. Si mik i familjeve më larta në Shqipëri, si shok gjenerate dhe idesh me nacionalistët shqiptarë si Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Fiqiri Dinia, Halil Alia, Muharrem Bajraktari dhe shumë të tjerë nacionalistë me emër në Shqipëri nuk kishte si të ishte mik dhe anën e komunistëve Jugosllavëve dhe bolshevikë Rus që Sheh Shaqiri i kish lexuar dhe ua dinte filozofinë. Nuk kanë lënë gjë pa bërë që ta luftojnë Shehin dhe familjen e tij, duke e persekutuar, izoluar nga fshati dhe miqtë, duke e sulmuar me të qena dhe të pa-qena, por Sheh Shaqiri me mencuri dhe dinjitet dhe me pëkrahjen e besimtarëve të shumtë mbijetoi me besim sublime në zot, me sakrificë, dhe gjithmonë pa e cënuar dinjitetin e njerëzve dhe duke mbajtur lart dhe ndezur besimin në zot. Me emrin e zotit cdo gjë do rregullohet, thoshte Sheh Shaqiri. Përgjithkë që e ka njohur Sheh Shaqirin për mirësinë fetare të tij, devotshmërinë ndaj zotit dhe islamit, urtësinë dhe mencurinë e natyrshme të tij, familjen dhe Teqenë e Vleshës do sjellë sadopak në mëndje Sheh Shaqirin, dhe do të thotë që kështu ka qenë. Por pak kush ka pasur dijeni që Sheh Shaqiri euridit dhe që dinte përmendësh tri vepra të tilla kapitale fetare, kombëtare dhe botërore.Në zona të vogla lindin dhe jetojnë njerëz të mëdhenj, që historia ka folur më vonë. I tillë ishte Sheh Shaqiri i Vleshës, për të cilin të tjerët do të tregojnë histori dhe ngjarje të ndodhura me të.
Përgatiti per botim Besnik Alku – Dibra Express
DibraON.com