Rruga e Arbrit, gati asfalti për km e para

0 0
Read Time:2 Minute, 27 Second

Drejt përfundimit segmenti i parë nga Tirana

Punimet për të ndërtuar Rrugën e Arbrit rinisën në Korrik të 2018-s. Vepra e cila do të lidhë kryeqytetin me Dibrën, e më pas me Maqedoninë, u la në mes.

Disa kilometra të shtruara u degraduan me kalimin e viteve. Sot për të shkuar në Dibër duhet të udhëtosh 174 kilometra për 4 orë.

Një dekadë më pas, Rruga e Arbrit nisi ndërtimin. 13 kilometrat e para që nisin nga Tirana janë afër përfundimit. Rruga është e shtruar deri përpara shtresave asfaltike. Ky është kantieri i parë që kompania po punon për ndërtimin e këtij segmenti.

“Ndodhemi në kilometrin e 7 të rrugës së Arbrit. Sapo kemi kaluar tunelin e parë që lidh kryeqytetin me Dibrën. Punimet në këtë aks kanë ecur me 80%”.

Inxhinieri Laurant Bahollari thotë se deri në fund të muajit Mars, ky aks i rrugës deri në kilometrin e 13-të do të jetë gati për të hedhur shtresën asfaltike.

Përfundimi i kilometrave të para do të lidhë fshatrat përgjatë Zallbastarit me Tiranën. Edhe për disa kilometra të tjera, punimet vazhdojnë për sheshimin e rrugës dhe përgatitjen e saj për të hedhur shtresën asfaltike.

Më pas nuk ka më rrugë. Kompania që po ndërton segmentin ka hapur në mal rrugë ndihmëse për të realizuar punimet në tunelin e Murrizit.

“Vepra që po ndërtohet pas meje është tuneli i Murrizit. E gjithë rruga do të ketë 6 të tillë dhe aktualisht po punohet për hapjen e 5 prej tyre. Këtu janë dhe punimet më të vështira inxhinierike”.

Këtu po ndërtohen dy tunele, njëri i cili ka vëllim më të vogël do të jetë për emergjencat, ndërsa i madhi, me volum 240 metër kub do të shërbejë për automjetet kur të hapet rruga.

Të dy tunelet kanë një gjatësi prej 3.2 kilometrash. Ky kantier është edhe pika e fundit e kalueshme në këtë rrugë nga Tirana. Për të shkuar në afërsi të Urës së Vashës, një tjetër vepër arti në infrastrukturën rrugore, mundësia e vetme është në rrugën e vjetër, atë që kalon nga Burreli.

Punimet në Urën e Vashës do të arrijnë të bashkojnë dy shpate mali, ku në secilin prej tyre ndodhen dy tunelet e fundit: tuneli 5 dhe 6. Ura do të jetë e gjitha konstruksion metalik me 27 kolona paralele në të dy anët e saj, të cilat ngrihen lart. E gjithë gjatësia e kalueshme mbi të është 220 metra.

Deri tani janë kryer 30% e punimeve totale të rrugës. Nga 70 kilometra, kanë mbetur për t’u ndërtuar edhe 54 të tjera. Afati për të përfunduar totalisht segmentin është në fillim të vitit 2022, por inxhinierët e firmës thonë se nëse punimet vijojnë me këto ritme, aksi do të jetë gati në Pranverë të vitit 2021. Qarkullimi nga kjo anë shkurton afro 100 kilometra dhe e afron Tiranën me 1 orë e gjysmë.

Tv Klan

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %