Djelmënia e Çidhnës ose “70 shpite e Has Përnezhës”

0 0
Read Time:7 Minute, 38 Second

Nga Haki Përnezha


Për djelmëninë e maleve kemi pak informacion. Në “E drejta zakonore shqiptare” thuhet: ” Djali i maleve është – bari, cub, luftëtar e punëtor”, ndërsa Nopça , shkruan se djelmënia është krijuar rreth viteve 1890 dhe e quan këtë si fitore të ideve më demokratike në mal. Me krijimin e kësaj djelmënie ” u thye fuqia e bajraktarit dhe e pleqësisë dhe kaloi në duart e të parit të djelmënisë…”, megjithatë Rr. Zojsi mendimin se “djelmnia ishte një organizatë e vegjëlisë e ngritur kundër parisë…” e kundërshton dhe sqaron se:ajo (djelmënia) ishte një organ egzekutiv që zbatonte vendimet e kuvendit dhe normat e kanunit.” Në një shtrat të till u ngrit edhe djelmënia çidhnake e cila kishte të njëjtën objekt si djelmënia e disa maleve të Shqipërisë së Veriut.

Elementi më i rëndësishëm që na bën të vendosim shenjën e barazimit në mes asaj djelmënie për të cilën flasin Nopçe e Zojsi dhe “Djelmënisë së Çidhnës” është ngjashmëria në rregullin e anëtarësimit në djelmni.

Le të krahasojmë : Sipas Nopçës, “Anëtarësia në djelmëni nuk ishte e trashëgueshme.” por edhe në Çidhën, sipas traditës gojore ” Anëtarësia në djelmëninë e Has Përnezhës nuk ishte e trashëgueshme”. Kjo ngjashmëri na bën të arrijmë në përfundim se “djelmënia” në Çidhën u krijua në kohën kur krerët e konaçeve, agallarët, u shndërruan edhe në pleqë. Pikërisht në këtë kohë, në mesvitet e shek XIX djelmënia kishte filluar të organizohej. Përqëndrimi i dy “pushteteve” në një dorë,agallajk e plakllajk, linte shteg për shumë abuzime në dhënien e së drejtës si dhe të mosegzekutimit të karareve të dheut. Ndoshta në këtë moment historik lindi dhe “lëvizja” popullore për të çuar deri në fund vendimet që merreshin në mbledhjet e dheut. Këtë “lëvizje” e drejtonte me shumë kujdes një nga të urtit e asaj kohe Hasan Përnezha.

Ai pa prishur rregullin në krahinë , pa atakuar parinë e zonës, nxiste mbledhjen e gjithë popullit, “7 e m’70” dhe mbështeste egzekutimin e vendimeve të saj. Doemos që mbledhje të tilla bëheshin për çeshtje shumë të rëndësishme ndaj dhe kundërshtimi i parisë nuk ndodhte, përkundrazi ata e mbështetën “djelmëninë” bile dhe e “shpërblyen” duke e quajtur pari. Djelmënia e krahinës kishte dy fusha veprimi, njëra ishte ajo e marrjes pjesë në luftë kundër turkut dhe e dyta kish të bënte me zbatimin korrekt të normave të kanunit. Hasan Përnezha duke qënë njëri nga demonët e traditës e kanunit,ishte i njohur në krahinë si njohës i mirë i tw drejtws dhe punonte edhe për sistemimin e normave të së drejtës zakonore që vepronte në Çidhën. (Sipas kumtit gojor të M.Murrës , Haziz Ndreu ka evidentuar në Çidhën rreth 80 norma kanunore të Has Përnezhës që janë në dorëshkrim).

Ky njeri i urtë ia kishte dalë që të “thithte” në trupën e “djelmënisë” shumicën e të rinjve çidhnakë të cilët kishin sjellje shoqërore dinjitoze dhe të merrnin “gjak në vetull”. Ai diti të ngrejë në zemrat e këtyre të rinjëve “pushtetin e nderit”, ndjenjën e sakrificës, dëshirën për të bërë të pamundurën, në shërbim të njerzve. Prandaj dhe kushti kryesor për tu anëtarësuar në djelmëni ishte se ata duhej të kryenin akte që të ishin në dobi të njerëzve, shoqërisë.Kwta djem, në fshatrat e tyre ishin të gjithkundgjendur, ndihmonin këdo që kish nevojë për t’i dhënë një dorë, hynin në mes të njerëzve të konfliktuar apo që ziheshin, mblidhnin ndihma për ata që kishin fatkeqësi, etj. etj. Ata sakrifikonin shumë nga vetja dhe veprimet e tyre shkonin deri në vetmohim aq sa shumë shpejtë populli filloi t’i thërrasë “Djemtë e Has Përnezhës”. Veprimtaria e studiuar dhe e dobishme në fshatra shpejt ua rriti autoritetin dhe vlerësimet ishin maksimale. Këta djem ishin të gatshëm të merrnin pjesë në çdo luftë, ishin trima dhe nuk ju dhimbsej jeta.

Në Çidhën nuk bëhej fjalë për të thyer fuqinë e parisë dhe të pleqësisë së krahinës, por për ta forcuar apo për ta plotësuar punën e tyre qoftë në problemet e brendshme por edhe në veprimet luftarake, sidomos në zbatimin e vendimeve të kuvendeve dhe normat e kanunit të krahinës. Djelmënia e Çidhnës shkëlqeu në luftën e udhëhequr nga Vesel Lusha e Sali Noka më 1835 si dhe më 1871 në kryengritjen e madhe kundër turkut, udhëhequr nga Abaz Repa. Tani le të shohim si u bë “nominimi” i “70 shpive të Has Përnezhës.Pas luftës kundër Hajredin Pashës e deri në prag të viteve 1900 shumë pashallarë turq i janë drejtuar Çidhnës, secili më i egër se shoqi.Sipas gojëdhënave: Rreth viteve 1880, Elmaz Pasha kishte vendosur shatorret mbi Brest dhe përveç taksave kërkonte edhe gra e vasha për harem të Sulltanit. Kjo kërkesë prekte shumë rëndë ndjenjat e krahinës dhe të djelmënisë çidhnake në mënyrë të veçantë. Për të gjetur zgjidhje krerët e krahinës mbledhin tek Ferra e Pashës burrë për shtëpi, ku pjesa më e madhe ishin djelmënia e krahinës, të gatshëm për tu përleshur me pashain.Has Përnezha propozon që t’i shkohet pashait tek çadra dhe t’ia fillojmë luftës atje e të mos presim që ai të organizohet e të vijë në trojet tona.Rrugë tjetër nuk kishte.

Mendimi u pëlqye nga të gjithë krerët e krahinës por realizimi i këtij plani ishte mjaft i rrezikshëm pasi ata që do shkonin mund të mos ktheheshin të gjallë. Të gjithë pleqtë pinin duhan mendueshëm e askuj s’ia bënte zemra me folë. Në këtë kohë ngrihet Has Përnezha i cili kërkon nga pjesëmarrësit që të dilnin 70 veta vullnetarë për të shkuar tek pasha…drejt vdekjes. Kaq u deshtë dhe të gjithë djelmënia ngrihet në këmbë, të gatshëm për t’i shkuar pas trimit por ai përzgjodhi vetëm 70 djem. Kriteri qe u zbatua ishte që të mos merrej asnjë djalë i cili ishte i vetëm në familje. Të nesërmen në mëngjez, trimat e udhëhequr nga Has Përnezha, ishin para çadrave të pashait.Ata ishin porositur që secili të shënjojë nga një oficer dhe kur të kriste arma në çadër edhe ata të vrisnin secili nga një. Ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe nderi i kishin bërë këta djem të përsërisnin nëpër dhëmbë:

U bëftë ç’u bëftë!, nga një do ta vrasim e gjakhupt nuk do shkojmë!!! Pashai priti në çadër Hasanin vet i tretë dhe ai nëpërmjet tergjymenit i kumton vendimin e popullit:

Çfar kërkon Elmazi, s’e merr kurrë Sulltani! Atëherë pashai i ka thënë -cila është manaja (kuptimi) e këtij llafi. Po, i është përgjigjë Has Përnezha- jo ti por edhe 10 pashallarë me ardhë asgjë s’keni për të mund me i çue Sulltanit veç kokave tona.Pashai e vlerëson situatën, sheh rrezikun që i kanosej, hap fletën e çadrës dhe sheh djemtë tjerë që ishin gati për luftë.

Po këto çfar janë?

Këta – ia kthen Has Përnezha -janë ata që na ruajnë mua dhe ty dhe nëse nuk merremi vesh, këto e dinë se ç’duhet bërë. Biseda mbaroi dhe pashai e përcolli Hasanin duke mallkuar fatin që e solli në këtë zonë. Djemtë u kthyen tek Ferra e Pashës ku u pritën me brohorima e shtërngime duarsh. Atë ditë dheu vendosi ti shpallë këta 70 djem shtëpi të para të Çidhnës.Përsëri ndërhyn Has Përnezha i cili propozon që numri 70 të jetë simbolik e në këtë numër hyjnë të gjithë ata burra që kryejnë akte të larta trimërie, që vihen në shërbim të shoqërisë etj. Aty në atë mbledhje u “krijua” edhe medalja e lartë morale dhe e nderit: “70 shpitë e Has Përnezhës!” Kjo “medalje” e lartë nderi është dhënë me solemnitet deri në ditët e çlirimit.

Ajo ende përmendet sa herë dikush kryen ndonjë akt a veprim të pëlqyeshëm në të mirë të njerzve. Edhe pse procedura e “dhënies” së kësaj “medaljeje” ishte e thjeshtë , solemniteti ishte i lartë kur oda çidhnake i deklaronte dikujt : Të lumtë, me këtë që kë bërë, ke hyrë në 70 shpitë e Has Përnezhës! Kaq mjaftonte dhe njerëzit ndiheshin të vlerësuar maksimalisht. Por ka pas raste që siç jepej kjo “medalje” ashtu edhe hiqej. Nëse dikush kryente ndonjë veprim të kritikueshëm a në dëm të dikuj, që nxiste për keq dikë, që cënonte pronën e huaj etj, etj, oda çidhnake e ndëshkonte me fjalët: Paç faqen e zezë, ke dalë prej 70 shpive..!, do të thotë nuk vlen për asgjë.Kjo ndryshe quhej “medalja” e turpit. Siç u përmend më lart kuvendi i dheut te Ferra e Pashës vendosi që në numrin e shpive të para të Çidhnës të shtoheshin edhe “70 djemtë e Has Përnezhës” të barabartë me 70 shtëpi të para, ku çdo çidhnak, varësisht nga veprimet e tij hyn në këto shtëpi ose del prej tyre.

Pak kohë më parë , në luftën kundër Hajredin Pashës, Sali Demiri, ishte nderuar me titullin popullor , Agai i 9 Maleve duke e çuar numrin e shpive të krahinës në 32 dhe tani me “nominimin” e 70 shpive të djelmënisë numri i shtëpive të para të Çidhnës shkoi nga 32 të tilla në 102.


Disponoj dhe nje kenge te kohes te Has Pernezhes te cilen do te hedh me vone ne kete grup, kuptohet pasi te marr dakortesine e poseduesit te kesaj kenge.

Marrë nga https://fushecidhendiber.wordpress.com/historia/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %