Të martën e kaluar e çoi të shoqen në dhè. Rrethanat qenë krejtësisht enigmatike edhe duket se ia hodhi paq me drejtësinë. Për fatin e tij të mirë nuk e zhvarrosën për ti bërë autopsinë. Po ta kishin bërë nuk do të qe e vështirë për t’ia gjetur gjurmët e rrahjeve deri edhe me karrige në shpinë e kudo nëpër trup. Ndoshta hetuesit i kaloi ndonjë shuk lekë nën dorë. Punë të tilla. Kemi dëgjuar plot aq sa na janë çarë veshët dhe plasur shpirti. E gjithëaq nuk hoqi buzë prej avazit të vjetër. Ujk qimetrashë dhe boj gri.
Dje u çua si përditë, fisk në shtatë. Pa larë as sytë doli. Shkoi, mori pensioni e invaliditetit të të birit. Kapërceu rrugën, do me thënë ndarjen e hekurt të senseve të lëvizjes dhe u zhyt në derën e drunjtë lokalit të fshatit.
Përshëndeti burrat e tjerë që gjendeshin tek pinin kafen e mëngjesit. U ul në tavolinën afër dritares. Ndjeu që karrigeja s’po i rrinte mire dhe e lëvizi. Uli kokën dhe vëreu se kishte një gropë në dysheme. Fill pas kësaj, kujtoi gropën e varrit të së shoqes tashmë të ndjerë. E kaploi një diç si eksitim, i ndjellë nga ideja se nuk do i dërdëlliste askush kur të shkonte në shtëpi. Tashti për të nuk kishte gjë më të paqtë.
Porositi një doppio konjak. Sa ia sollën e përlau me tre gëllënjka. Porositi dhe një tjetër dhe këtë e përlau me dy. Porositi sërisht por këtë herë e ktheu përnjëherësh. Tashmë nuk mbahej mend se sa porosi mori dhe sa piu. Pas do kohe, u çua kapërceu ndarësen metalike të rrugës, duke i hipur galiç njëherë me njërën këmbë e mandej me tjetrën dhe doli matanë rrugës.
Shkoi në shtëpi dhe në mjergullim e sipër nuk mbajti mend asgjë se ku, kur dhe kush ishte: fjeti gjumë.
Sot u çua sërish në shtatë, por pa dy minuta. As sot nuk i lau sytë. Doli dhe mori drejtë rrugës. Pa rrotull dhe u fut përmes rrugës tek njëqind metër më tutje ishte mbikalimi i këmbësorve. Megjithatë askush s’e përdorte dhe nuk qe budalla të mos bënte si tjerët. I hypi galiç prap ndarësve dhe e pa vete direkt e me buzë në gotën doppios së konjakut.
Nuk i numëroi se sa piu. Dhe po të donte, s’ia arrinte dot. Veç pasi mendoi se kreu normën për sot, e lëvizi bythën gjithë përtesë.
Buzë rrugës këmbët në ecje i formonin numrin tetë, se mbante dot ekuilibrin dhe dukej si një modele në pasarelë, pa pikë eksperience. Trupi orvatej sa në një anë në tjetrën. Pasi eci disa hapa më tutje, të themi hapa sepse këmbët mend i ishin ngjitur me njëra-tjetrën, bota i kalamendej para syve. Tundeshin shtëpitë sikur t’i zinte teshtima. Zhurmat e makinave i dukeshin si tigujt e pordhëve e veta.
U mat të kalonte nga ana tjetër me gjysmëhapat e tij, por një tingull i fortë pordhe i çau veshtë me gjithë daulle e brendi.
Pas një terri disasekondësh, e shoqja i fyshkëlleu në vesh. “Mirëserdhe në jetë!” Çoi kokën, tashmë pa përtesë, u rrek të shihte fytyrën e zërit që i buçiti në vesh por më kot. Dalldisi të rrokte me sy ndonjë fytyrë të njohur por vetëm zërat njihte. Pasi e pa që ishte e kotë brohoriti:
-Majlinda, ku je?
-Unë jam në sferat më të epërme të tej-jetës,-tha ajo me një zë të çiltër, siç e kishte ditët e fejesës
-Po unë? Ku jam? -pyeti Brakolli.
-Ti je në trajtat më të errëta që gëzon jeta dhe tej-jeta.
Nga: Alban Tufa