Xhuliano Skuka ka “çmendur” skuadrat italiane me paraqitjen e tij me Partizanit. Sulmuesi dibran duket se i ka ditët e numëruara si “dem”, ndërsa pritet të largohet nga kryeqyteti edhe pse drejtuesit e kuq dhëshirojnë shumë që të mos ndodhë.
Interesimi i lartë nga disa ekipe duket se ka futur në mendime drejtuesit, të cilët të vetëdijshëm për vështirësinë për ta mbajtur deri në fund të sezonit, tashmë kërkojnë të mbushin xhepat nga shitja e tij.
“Newsport.al” ditën e djeshme raportoi se për shërbimet e dibranit në zyrat e kryeqytetasve kishte mbërritur një ofertë prej 1 milionë euro, emri i skuadrës nuk bëhej akoma i ditur. Por jo vetëm kaq, pasi një tjetër ofertë ka mbërritur në drejtim të 24-vjeçarit.
Këtë herë bëhet fjalë për Veronën e cila ka ofrur 450 mijë euro për shërbimet e bomberit të kuq, teksa në lojë është edhe një përqindje e kartonit që mund të mbajë Partizanit. Siç mësohet drejtuesit nuk dëshirojmë më pak se 800 mijë euro për të lënë të lirë “xhevahirin” e tyre.
Skuadra italiane duket e fiksuar pas Skukës, i cili ka në favorin e tij dhe pasaportën franceze, gjë e cila e lejon atë të luajë si vendas në Itali dhe të mos konsiderohet një lojtar i huaj. Mbetet të shihet se cila do të jetë zgjedhja e drejtuesve, ndërsa mbetet të zbulohet dhe emri i skuadrës që ka ofruar 1 milionë euro për “demin” e kuq.